Ëndrra e Xhenit & Darios – Dy dasma, i njëjti ambient, të njëjtët elementë, por dy pamje krejt të ndryshme

Duke shpresuar që pandemia do të marrë fund shumë shpejt, nuset e ardhshme mund të vazhdojnë të frymëzohen nga dasmat e kaluara derisa të vijë dita e tyre e madhe. Një prej dasmave që jo vetëm të frymëzon, por të bën të ëndërrosh dhe fantazosh edhe për detajet është ajo e Xhenit dhe Darios. Një organizim gjigant nga Class Events, e realizuar nën presionin e kohës, por e përmbushur me sukses, duke tejkaluar pritshmëritë e të gjithëve.

Kërkesa e çiftit ishte të bëheshin 2 dasma brenda 2 ditësh, në të njëjtin ambient, të përdoreshin të njëjtat elemente dekori, por njëkohësisht të dukeshin totalisht ndryshe nga njëra-tjetra.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by CLASS by Alketa Vejsiu (@classav_events) on

Kjo ishte një sfidë më vete për skuadrën e Class që kishte vetëm 1 ditë kohë për të ndryshuar sallën e lulet, dhe për të gjetur stilin e përshtatshëm për ta transformuar. Si përfundim u vendos që dasma e parë të ishte e gjitha e bardhë, ndërsa dasma e dytë një kopsht me lule.

Elementet e dekorit ishin të njëjta, si karriget, tavolinat, sotopjatat, gotat, pecetat, shandanët etj. Skuadra e Class ndryshoi planimetrinë, veshjen e mureve, tavanin dhe lulet – një punë e vështirë për t’u bërë brenda 24 orësh, por u realizua me sukses.

Dasma e parë kishte çdo detaj të bardhë, orkide e trëndafila të bardhë dhe ndonjë prekje e vogël në ngjyrë ari. Muret e ambientit u ndryshuan totalisht, u veshën me panele të bardhë, kolonat me pasqyrë, dyshemeja e gjitha e bardhë dhe tavani me panele të bardha, ndërsa sipër çdo tavoline varej një instalacion i madh me trëndafila dhe orkide.

Tavolinat ishin të bardha me karrige transprente me të bardhë, sotopjatat ishin prej kristali dhe sipër kishin nga një pjatë të bardhë me fileto gold, serviset gold dhe gotat prej kristali me fileto gold. Pecetat u qëndisën me inicialet e çiftit në ngjyrën gold. Te pjesa e pistës në mes të sallës  u vendos një instalacion i madh në formë rrethore, i mbushur me lule dhe orkide të bardha. Tavolina e çiftit kishte kompozime të mëdha me lule që derdheshin deri në dysheme, ndërsa në sfond dukej një mur i mbushur me orkide të bardha.

Ndërsa në dasmën e dytë gjithçka u transformua. Kolonat me pasqyra u veshën të gjitha me lule jeshile dhe të bardha, tavani gjithashtu kishte lule në gjithë sipërfaqen e tij, ndërsa mbi tavolina vareshin shandanë me lule. E gjithë salla i ngjante një kopshti të mbushur me lule – kopsht në të cilin Xheni dhe Dario i premtuan njëri-tjetrit dashuri të përjetshme dhe gëzuan në praninë e njerëzve më të dashur për ta.