Dasmë përrallash buzë detit në Vlorë

Dasma është një prej eventeve më të veçanta për njeriun! Gjithë jetën vajzat e kalojnë duke ëndërruar për “ditën e madhe”, ku të paktën për një ditë do të ndihen sikur po jetojnë një përrallë. Çdo gjë duhet të duket dhe të jetë perfekte që të gjithëve t`u lërë mbresa dhe gjurmë në memorie. Nuk është e lehtë që dasma të përmbush pritshmëritë e çiftit, pasi për ta është një projekt që është krijuar, menduar, ndryshuar e perfeksionuar në detaje gjatë gjithë jetës. Dasma nuk është vetëm një event që mbledh njerëzit e afërt për të gëzuar e festuar bashkimin mes dy njerëzve, ajo është shumë më shumë… Është materializimi i një ëndrre shumëvjeçare që duhet të realizohet në çdo detaj ashtu siç është në imagjinatën e çiftit, madje t`i tejkalojë pritshmëritë e tij. Është e rëndësishme që dasmën t`ua besosh njerëzve që dinë t`i shndërrojnë përrallat në realitet dhe skuadra e Class Events është e tillë, e përkushtuar dhe e gatshme ta bëjë ditën e dasmës të paharrueshme jo vetëm për çiftin, por edhe për çdo të ftuar!

Dasma e Neidës dhe Ervisit ishte dasma e parë madhështore e vitit që Class e ktheu në një ëndërr të bërë realitet. Një dasmë fantastike e organizuar në një tendë transparente buzë detit në Vlorë, e cila u ndërtua nga e para dhe u prek në çdo kënd nga profesionistët e Class Events, të cilët punuan për 7 ditë e 7 netë. Pavarësisht kushteve aspak favorizuese të motit Class ia doli edhe një herë të finalizojë me sukses ëndrrën e një tjetër çifti.

Çatia transparente e tendës u mbush me drita që të krijonin idenë e një qielli të mbushur me yje pafund. Edhe karriget ishin të gjitha transparente që përshtateshin me ambientin e krijuar anës detit, shumë pranveror dhe i freskët, ndërsa në sfond ishte muzika më e mirë e mundshme – zhurma e dallgëve të detit. Stili që u përdor ishte ai australian duke filluar që nga ngjyra gri e mbulesve lino të tavolinave, e deri te lulet që fillonin nga trëndafilat e zinj, që ishin një dëshirë e nuses dhe u ndërthurën në mënyrë perfekte me trëndafilat rozë, luleboret, orkidetë rozë e ngjyrë pjeshke. Po ashtu, u përdorën edhe gjethet e palmave që përshtateshin më së miri me ambientin bregdetar. Mbi pistë u vendosën dhe tri kompozime të mëdha lulesh, edhe këto në ngjyrat e pastelit.

Tavolinat e gjata drejtkëndore u mbushën me qirinj dhe lule, ndërsa në tavolinën e çiftit u vendos një backdrop i mbushur me gjethe, ku me neon të kuq shkruhej shprehja e preferuar e çiftit: You are my today and all of my tomorrows.

Një dasmë përrallash dhe njëkohësisht shumë moderne!