Dasmë elegante me ngjyra të pazakonta

Kur imagjinojmë një dasmë në mendje na vjen bardhësia që i karakterizon dasmat në përgjithësi. E bardha tradicionale i portretizon më së miri dasmat, por ka nga ato çifte që preferojnë ta thyejnë traditën dhe të kenë një dasmë me ngjyra të pazakonta dekori. Të tillë ishin edhe Flavia dhe Gentiani, një çift me shije shumë të hollë dhe elegante.

Ata preferuan që në dasmën e tyre, përveç të bardhës, të mbizotëronte edhe e zeza dhe ngjyra gold. Tavolinat u zgjodhën të bardha, karriget transparente dhe sotopjatat të zeza. Shumë detaje të tjera u zgjodhën po në ngjyrë të zezë dhe gold. Lulet që mbushën mesin e tavolinës ishin të bardha dhe në ngjyrat e pastelit, kryesisht blush pink.

Tenda prej xhami ishte e rrethuar nga gjelbërimi dhe dritat e vogla. Në një pjesë u krijua photoboothi, ku shkruhej: “Baby it’s the small things”. Edhe pjesa e sipërme e tendës u mbush me drita të vogla që të jepnin përshtypjen e një qielli plot yje që ndriçonin për ta bërë natën e madhe të Flavias dhe Gentianit edhe më magjike.

Çdo detaj dhe çdo ngjyrë u ndërthur mjeshtërisht me njëra-tjetrën dhe rezultati final nuk mund të ishte më elegant se kaq. Epo, ashtu si në këtë dasmë, janë pikërisht gjërat e vogla që bëjnë diferencën!