Dasmë përrallash, aty ku qielli takohet me detin
Vera është pa dyshim sezoni i dasmave. Është periudha perfekte për të realizuar dasmën, sidomos për ata që e kanë ëndërr ta organizojnë në natyrë, pasi shanset për shi janë më të pakta se në çdo stinë tjetër. Vera sjellë me vete një magji të veçantë dhe kur më mirë mund të ishte momenti perfekt për një event aq të rëndësishëm dhe romantik sa dasma? Të thuash magjike është pak! Dasma e radhës e realizuar nga Class Events ishte një ëndërr.
Dasma u realizua pranë detit me një pamje spektakolare dhe me një aromë fantastike deti. Ceremonia u organizua në një tendë transparente, e cila u mbulua nga bardhësia, ngjyra tradicionale që karakterizon dasmat. Sipër tendës mijëra drita të vogla krijonin idenë e yjeve në qiell. Anës tendës u vendosën perde të bardha.
Edhe tavolinat e karriget ishin të bardha, ndërsa kompozimet e luleve ishin kryesisht trëndafila dhe lulebore që zgjateshin sipër tavolinave të të ftuarve. E bardha u kombinua me sotopjatat, serviset, karriget e detajet e tjera gold. Në hyrje të tendës, një tabelë shkruante “Dinner this way” duke të drejtuar për te darka.
Altari ishte një tjetër pjesë e veçantë e dasmës. Në altarin e bardhë u vendosën dy gjysmëhëna trëndafilash që të kombinuara me pamjen e detit të kaltër krijonin një sfond të mrekullueshëm. Anës altarit u vendosën kompozim lulesh e qirinj të bardhë, si dhe karrige transparente.
Zona e koktejlit ishte një tjetër pjesë e veçantë e dekorit. Kolltuqe të bardhë komodë me jastëk, tavolina pasqyrë dhe qirinj të vendosur në enë qelqi transparente me konture gold.
Një dasmë ëndrrash e realizuar aty ku qielli takohet me detin!