10 - vjetori i dasmës së Drilonës dhe Kristianit, të gjitha detajet e festës
Pak ditë pas eventit, kur Tirana flet ende për “princeshën” e përrallës së të shtunës mbrëma, vetë Drilona i është kthyer ritmit të përditshëm dhe stilit të saj prej një vajze metropolitane. Ka pamjen e dikujt që sapo është zgjuar nga një ëndërr shumë e bukur, por që, me qindra foto, qindra minuta xhirime, qindra urime, e bindin që nuk ka qenë duke ëndërruar…Megjithatë, ishte absolutisht një festë ëndrrash! Një përrallë...
Ndoshta jo gjithçka që është thënë deri tani ka qenë e saktë, ndoshta është thënë edhe më shumë sesa vetë ajo do kishte dashur, sepse, megjithëse ishte madhështore, festa e 11 shkurtit në Hotel Plaza, organizuar nga Class Events, për Kristianin dhe Drilonën ishte gëzimi i tyre intim i ndarë me një rreth relativisht të ngushtë të afërmish dhe miqsh, në event ishin të ftuar 115 veta dhe, siç thotë Drilona, duke qenë që ata nuk janë njerëz publikë, festa e tyre private, mund të mbetej private…Megjithatë, në kohët tona, privatësia e plotë është pothuaj e pamundur. Ditarët metropolitanë janë gjithmonë të hapur për të shënuar ngjarjet e veçanta dhe, në Tiranë, një festë si ajo e 10-vjetorit të dasmës së bzinesmenit dhe Drilonës, i plotësonte kushtet për të zënë vend aty. Provë ishte kërshëria me të cilën u shfletua.
Për këtë arsye po ju sjellim të gjitha detajet e këtij eventi, të marra, këtë herë, ekskluzivisht, nga ditari i protagonistëve dhe organizatorëve.
Para së gjithash duhet theksuar domethënia e eventit, e cila do ju bindë që, veç formës, kjo festë edhe thelbin e ka prej përralle.
“Kjo nuk ishte një dasmë. Ne kemi bërë dasmë dhjetë vite më parë, me shumë të ftuar. Unë kam qenë e veshur me fustan të bardhë. Për këtë arsye këtë herë nuk vesha fustan nuseje. Nuk mund të them që kisha pengje, ajo ka qenë një dasmë e bukur për vitin 2007, por kohët ndryshojnë, tani në Shqipëri mund të organizohen evente shumë më të bukura, si këto që organizon Class edhe moda e grimit apo flokëve ka ndryshuar, veshjet janë pak më ndryshe sesa dhjetë vjet më parë… kështu që menduam të bënim një festë të kohës, siç e donim ne, për 10-vjetorin e dasmës dhe jam shumë e kënaqur që u arrit plotësisht”, tregon Drilona.
Data e rëndësishme për Kristian dhe Drilona Boçin, 11 shkurt, që në 2007-ën kishte qenë e diel, këtë vit të dhjetë binte të shtunën, një avantazh më shumë për ta organizuar fiks atëherë festën e madhe. Zgjodhi Class Events, pothuaj që një vit më parë, si aleat në ëndërr dhe që nga ai çast përgatitjet nuk kanë shterur. Eventi gjigant i cili duket se nuk arrin të tregohet dot plotësisht as me fjalë e as me foto, u krijua i gjithi nga e para, çdo grimcë e tij ishte e dedikuar.
Class Events porositi gjithçka të re, tavolinat, karriget, sotopjatat silver…Stafi i ndriçimit qëndroi 12 orë për të vendosur dritat në tavan, stafi i dekorit kaloi 12 orë të tjera për të vendosur adezivët në dysheme për t’i dhënë njëtrajtshmëri sallës. Floristja e Floral Fantasy, qëndroi katër ditë pa pushim për të vendosur mbi 30 mijë lulet që dekoruan katin e 23-të ku u zhvillua kokteji dhe të tretin ku u mbajt darka. Nga tavanët dhe pas tavolinës së çiftit, derdheshin Delphinium, pranë çdo pjate ishte vendosur një orkide, tavolinat ishin zbukuruar me trëndafila, luleborë dhe orkide dhe ishte krijuar një flowerstation me trëndafila dhe tulipanë.
Pecetat ishin të personalizuara me logon e infinitit dhe inicialet e çifit, ndërsa menuja e printuar me teknologji laser.
Ftesa ishte një vepër arti më vete. Drilona ishte frymëzuar nga një dasmë libaneze, për formën e këpucës së Hirushes dhe Class Events e dizenjoi enkas për të. U bashkëpunua me tre kompani të ndryshme për ta realizuar, pjesërisht handmade nga Olga dhe pjesërisht produkt industrial i realizuar nga dy kompani të tjera. Kështjella e përrallës ishte gdhendur me një makineri dhe teknikë të posaçme që kërkon tri orë për një ftesë. Ajo mbante një lule lavander dhe ishte e parfumosur me Tom Ford Noir de Noir… jo rastësisht. Fragranca ka moshën e martesës së tyre.
Për të ftuarit nuk kishte kufizime në kodin e veshjes. Kjo nuk ishte një dasmë dhe e bardha mund të vishej nga të gjitha damat që do të dëshironin. Por princesha ishte sigurisht Drilona.
Të hyje në sallën e koktejit ishte si të hyje në përrallë, lule, ndriçim romantik, muzikë e ëmbël, zëri i Marsela Çibukajt dhe një kënd për foto ku ishte shkruar Eroma, emri me të cilin ka thirrur Drilona Kristianin që në fillimet e historisë së tyre, kur ajo ishte ende adoleshente. Kuptimi? Anagrama e Amore, dashurisë që te ata të dy, vihej re, aq e fortë edhe dhjetë vjet pas dasmës.
Për ta konkretizuar përrallën dhe për të zbuluar para të ftuarëve që kishin mbërritur me një ftesë në formë këpuce, që gjithçka ishte e mirëmenduar, Hirushja moderne do të shfaqej shumë shpejt. Drilona kishte zgjedhur një fustan bojëqielli Dolce & Gabbana, që i linte zbuluar këpucët e qelqta dhe mbante në dorë një çantë gold që të kujtonte karrocën e përrallës. Vetëm që kjo magji nuk do të prishej pas mesnatës…Vetëm sa do të bëhej më e bukur.
Në darkë, Drilona do të vishte një fustan ëndrrash Elie Saab, ndërsa Kristiani që ishte veshur nga stilisti italian Santo Barilla, do ta ndërronte kostumin me vija lejla me një blu.
Po njëlloj ishte veshur dhe djali i tyre, nëntë vjeç, i cili do të sillte surprizën e Drilonës për bashkëshortin. Ai këndoi një këngë të kompozuar enkas për historinë e prindërve të tij të cilën e përcolli me zërin e një fëmije talent që i emocioni të gjithë. Sigurisht prania e djalit dhe vajzës së tyre, me të vogël, ishin ndryshimi më i madh dhe më i bukur nga festa e dhjetë viteve më parë.
Gjatë darkës, duke iu përshtatur fazave të ndryshme të saj, Bes Kallaku bëri pak humor, kënduan Juliana Pasha, Kejsi Tola, Olta Boka, Valon Shehu, Xhensila Myrtezaj, Gena, interpretuan në violonçel dhe violinë Iliard Shaba dhe Ervin Gonxhi. Muzika ishte e zgjedhur dhe e menduar, kërcimi i parë i çiftit ishte me muzikën e Love Story, ndërsa hapja e festës u bë me këngën “Martesa jonë” që flet pikërisht për lumturinë që fal një martesë e gjatë. Ndërkaq gjithçka kishte organizimin e një spektakli madhështor. Në ekranet LED ndryshonin vazhdimisht efektet përrallore, binte borë, petale, shkëlqenin galaksitë, të komanduar nga një ekip prej tre personash, dy persona kujdeseshin për dritat e tavanit që ndryshonin vazhdimisht. Tre kameramanë ishin vazhdimisht në aksion, ndërsa fotografët Endrit Mërtiri dhe Norik Uka realizuan fotot që do të jenë një kujtim shumë i bukur për Kristianin dhe Drilonën dhe vërtetojnë që gjithçka ndodhi atë natë nuk ishte ëndërr, por një përrallë e vërtetë.
Dhe jo vetëm në formë…Përrallat mbyllen me “ata jetuan të lumtur përgjithmonë” dhe për dy njerëz që festojnë aq madhërisht 10 vitet e dasmës së tyre dhe u shkëlqejnë sytë në çdo vështrim, vërtetësinë e kësaj fjalie që mbjell ëndrra në çdo shekull, mund ta besosh më lehtë.