Brenda ditëlindjes së parë të Ajka qumështores
Përveçse një arsye e madhe për të festuar, 1-vjetori është edhe një rast për të krijuar shumë kujtime që do të mbeten gjatë në memorien e njerëzve të pranishëm, por edhe në albumin fotografik të të vegjëlve që do ta shohin me shumë dëshirë kur të rriten. 1-vjetori i Ajkës ishte special, pasi mami Xhensila dhe babi Besi, së bashku me Class Events, u kujdesën që në ditëlindjen e parë të saj çdo gjë të ishte perfekte. Festa u organizua në Gjirin e Lalzit dhe hapësira e vënë në dispozicion u shndërrua nga dekori i mirëmenduar hollësisht nga skuadra e Class Events.
Tenda, detajet e kashtës, gardhi i kafshëve dhe të gjithë elementët e tjerë krijuan një ambient stil "boho". Ai që tërhoqi vëmendjen e vogëlushëve, por edhe atë të të rriturve ishte këndi i qenushëve të pellushit që iu dhuruan të ftuarve në ditëlindjen e parë të Ajkës. Qenushët qëndronin të rrethuar në një gardh të bardhë, brenda të cilit ishte vendosur një tabelë druri, ku shkruhej: "Adopt a puppy"!
I pranishëm në festë ishte edhe një pony i bardhë që i jepte më shumë atmosferë festës. Pak më tutje qëndronte një lepur e disa zogj që të jepnin ndjesinë se ndodheshe në një minifermë, ku vogëlushët duket se kaluan momente të gëzueshme duke përkedhelur e duke kaluar kohë me kafshët e pranishme në festë.
Photoboothi ishte një tjetër kënd shumë i pëlqyer nga të ftuarit, ku askush nuk mund të kalonte pa shkrepur një foto. Mes gjelbërimit qëndronte një instalacion i madh me tullumbace në ngjyrat e pastelit, ku ndërthureshin ëmbëlsisht lejlaja, jeshilja dhe ngjyra e pjeprit. Një karrige e madhe kashte, një tabelë druri ku shkruhej "Ajka qumështorja", një tendë e bardhë dhe këndi i drunjtë i ëmbëlsirave ishin elementët perfektë për të shkrepur një foto që do të memorizonte këtë festë për çdo të pranishëm. Pak më tutje një tjetër kënd ishte i mbushur me kujtime. Fotot e Ajkës së vogël të shkrepura përgjatë vitit të saj të parë të jetës qëndronin të varura me kapëse në një pemë ulliri. Edhe në këtë kënd tullumbacet ishin aty për të dhënë një prekje festive.
Gjithçka e krijuar me përkushtim për t`i bërë të pranishmit të jetojnë një përrallë, siç ka qenë ky vit me Ajkën, për Xhensilën dhe Besin.
View this post on Instagram
Photo credits: Class Photography, Orsola Mema