20-vjetor i çmuar si smeraldi

Guri i smeraldit ka dalluar për bukurinë e tij që prej antikitetit. Pas këtij guri të çmuar në ngjyrë jeshile fshihen shumë besime e mite, mes të cilave edhe që ai sjell dashurinë e pakushtëzuar. Ky gur është fatsjellës sidomos për të lindurit në muajin maj. E si mund të organizohet ndryshe një ditëlindje në këtë muaj, përveçse me temën e smeraldit?

Elona zgjodhi që ditëlindja e saj të ishte e mbushur me smeraldë, por njëkohësisht të ishte diçka minimaliste. Festa u organizua pranë një pishine, ku pas festës të ftuarit mund të relaksoheshin në ujërat e saj të smeraldta. Sipër pishinës qëndronin tullumbace të bardha, ndërsa anët e saj u mbushën me qindra qirinj në nivele dhe madhësi të ndryshme. Tavolina e ëmbëlsirave ishte e gjitha në ngjyrë ari e zbukuruar me “bizhutë”, që në këtë rast ishin ëmbëlsirat, të cilat dukeshin si smeralde të vërtetë.

Tavolina e të ftuarve ishte prej mermeri, çka bëri që dhe dekori i saj të ishte shumë minimalist. Nuk u përdorën lule, por në qendër të tavolinës u vendosën shumë qirinj që reflektonin dritën e tyre të artë mbi sotopjatat dhe gotat e kristalta. Një tjetër detaj i veçantë që u përdor në këtë event ishin emrat e të ftuarve që u vendosën te pecetat në ngjyrë smeraldi. Emrat në ngjyrë të bardhë u realizuan me laser në 3D dhe në kohën që është realizuar eventi, kjo ka qenë një risi e sjellë padyshim nga Class Events!