Një ditëlindje magjike, si një Unicorn

Pikërisht atëherë kur mendon që i ke parë të gjitha temat për një ditëlindje fëmijësh, të shfaqet para syve, e pamundura. Njëbrirëshi mitologjik, njëbrirëshi i përrallave dhe së fundi njëbrirëshi i modës që me ngjyrat e tij i ka magjepsur të gjithë, është kthyer në frymëzim për festën unike të ditëlindjes së Isabel, e cila mbushi 1 vjeç. Isabel, vajza e Fabiola Hysenbelliut dhe Rigels Ballës, është mbesa e biznesmenit të njohur, president i Hysenbelliu Group, Irfan Hysenbelliu. Për ditëlindjen e parë të princeshës së tyre, sigurisht që të gjithë dëshironin një festë të veçantë.

Edhe ashtu u bë! Class Events, kompania e zgjedhur për organizimin e ditëlindjes, e shndërroi oborrin dhe hollin e hotel Prestige, pjesë e bizneseve të familjes Hysenbelliu, në një park përrallor ku që në hyrje lajmërohej eventi dhe tematika. Në një tabelë shkruhej "Isabel's Birthday" dhe ishte vizatuar një njëbrirësh.

Tullumbacet ishin me ngjyrat tipike të kësaj teme, rozë, çiklaminë, lejla, bojëqielli, si edhe ëmbëlsirat, ku formën konike të bririt e gjeje gjithashtu te kaushat e shumtë. Ditëlindja e parë e Isabel, nuk kishte thjesht një dekor, kishte një atmosferë, që të fuste në dimensionin e përrallës, ku donut-sat qëndronin në mure, brenda kaushave mungonte kremi i akullores sepse ishin të mbushur me xixa, meringe dhe macaroon-sa, ndërsa në qendër të kopshtit shihje një njëbrirësh, të aftë për t'i dhënë udhë karuzelit të fantazive të përndezur në një vend si ai.

Isabel, familja e saj, të afërmit dhe të ftuarit e shumtë nga biznesi dhe media me siguri e kanë ndier këtë zhvendosje në një dimension tjetër. Për princeshën e festës ishte rezervuar një fron rozë ku ajo pozonte me të afërmit, mamin e veshur me një fustan bojëqielli, të atin, gjyshin, por edhe dajën, Oni Hysenbelliun që e njohim të gjithë.

Është një nga ato festat që nuk të besohet që kanë ndodhur...si të shohësh një unicorn!