Një kënd lojërash për të festuar 5-vjetorin e një princeshe të vogël
Një ditëlindje e veçantë për një vogëlushe po aq të veçantë! Class Team ka arritur të bëjë të paharrueshëm 5-vjetorin e një princeshe të vogël, e cila është ndjerë e tillë më shumë se kurrë në ditën e saj të lindjes. Kjo festë ditëlindjeje kishte gjithçka që një fëmijë mund të kishte ëndërruar duke filluar nga këndi i lojërave e deri tek ëmbëlsirat e llojeve të ndryshme.
Ngjyrat që janë përdorur për këtë event nuk janë ato që shohim zakonisht nëpër përrallat apo filmat me princesha, por janë paksa më ndryshe, megjithatë gjithmonë duke qëndruar te tonet neutrale dhe të buta. Kjo ndërthurje e ngjyrave blush pink, nude dhe e bardhë i dha një tjetër dimension temës së festës dhe idesë së krijuar për botën e vajzave, ku jo çdo gjë duhet të jetë patjetër rozë. Mes shumë tullumbaceve në ngjyra të buta janë përdorur edhe disa tullumbace të argjendta për të bërë kontrast me pjesën tjetër ku çdo gjë është në tone të lehta dhe të ëmbla. Edhe lulet janë përshtatur me pjesën tjetër të dekorit duke u kombinuar me tullumbacet, ëmbëlsirat, sotopjatat etj.
Për të rriturit, një tavolinë e sofistikuar e mbushur me lule dhe qirinj, ndërsa për vogëlushët një tavolinë e ulët me jastëkë, e mbushur me tullumbace dhe e mirëmenduar për të qenë sa më komode dhe funksionale.
Në vend të konfetave që i jepen çdo të ftuari është menduar që në sotopjata të ketë nga një biskotë në formë shtëpize. Diku në një qoshe (që sigurisht u kthye në qoshen e preferuar të fëmijëve) ndodhej një mur i mbushur me donuts. Ndërsa pak më tutje qëndronte stenda e ëmbëlsirave e mbushur me lloje të ndryshme si: cupcakes, donuts, macaroons dhe torta.
Një kënd lojërash i konceptuar për të argëtuar çdo fëmijë të pranishëm i ka dhënë edhe më shumë gjallëri festës. Është përdorur bar artificial në të gjithë hapësirën dhe në këndin e lojërave nuk kishte si të mungonte një pit ball dhe pranë tij një shtëpizë, ku fëmijët mund të luanin dhe të argëtoheshin pafund. Sigurisht që për princeshën e mbrëmjes kjo ishte një ditëlindje që do të mbahet mend gjatë!