Një drekë country-chic në fshat

Jeni lodhur nga trëndafilat, orkidetë e tulipanët në dekoret e tavolinave? Këtë herë Class sjell për ju një ide tërësisht origjinale, me thjeshtësinë dhe origjinalitetin që e karakterizon fshatin. Levandat e thata, lule pambuku e rozmarina ishin lulet e zgjedhura për të realizuar këtë drekë, ku mund të themi se janë elementet kryesore për një temë country-vintage. Si detaje identifikuese janë pecetat ngjyrë mente, ndryshe nga ç'kemi parë në rutinat ditore e restorantet ku i gjejmë të palosura në shumë mënyra, ky variant vjen më i "shkujdesur". Ndonjëherë, kur kompozoni diçka, të improvizuarit në moment është sekreti i një rezultati kaq elegant. 

Përsa i përket trendeve të dekoreve, lulet e thata janë një nga tendencat e pranverës, ku sa vjen e më shumë drejtohemi drejt stilit minimal, pastërtisë dhe thjeshtësisë.

Karriget kryq janë një gjetje ideale për një drekë apo darkë në ambientet e jashtme. Nëse keni në plan një event në ambientin tuaj familjar, ditëlindje apo një darkë mes miqsh, Class ju bën të mundur një kompozim kaq chic, por edhe të personalizuar!