Çfarë ndodh kur mbretëresha dhe princi i saj e kanë ditëlindjen në një ditë?

A ka gjë më të bukur për një nënë sesa fëmija i saj të vijë në jetë në të njëjtën ditë me të? Çiljeta Xhilaga e ka pasur fatin që djalin e saj Fernandon ta sjellë në jetë në ditën e saj të lindjes. Kështu Çiljeta dhe Fernando do të kenë dy gëzime në një ditë dhe do të festojnë gjithmonë së bashku. Por çfarë ndodh kur mami dhe djali kanë ditëlindjen në të njëjtën ditë?

Class Events mundi ta kthejë këtë ditë në një përrallë të bukur, ku protagonistë ishin një mbretëreshë dhe princi i saj. Kjo ditëlindje ka për të mbetur gjatë në memorien e Çiljetës, Fernandos, por edhe në atë të të ftuarve që patën kënaqësinë të festonin në një ambjent të ngrohtë dhe festiv.

Çiljeta dhe Fernando ishin veshur bardh e zi dhe kombinonin më së miri me ngjyrat e dekorit. Largimi nga ngjyrat klasike rozë (për vajzat) dhe blu për (djemtë) dhe zëvendësimi i tyre me ngjyrat rozë blush dhe e zezë ishte një zgjedhje e veçantë dhe elegante, që të jepte ndjesinë e një ambjenti me stil Chanel.

Sigurisht që në ditëlindjen e një mbretëreshe dhe princit të saj nuk mund të mungonin kurrsesi kurorat, prandaj ishte menduar që të kishte kurora për çdo fëmijë, që dëshironte të ndihej një princ apo princeshë e vogël. Detajet në tavolinat e ngrënies u përshtatën me ngjyrat e temës. Tavolina e fëmijëve ishte e dekoruar me ngjyrat bardh e zi dhe kishte jastëkë në vend të karrigeve që fëmijët të ndiheshin sa më komodë. Tavolina e të rriturve ishte dekoruar me lule blush pink dhe të bardha, ndërsa karriget ishin velvet në ngjyrë të zezë.

Këndi i photobooth është shumë i rëndësishëm në evente të tilla, pasi të gjithë duan që ta memorizojnë me foto ditën e tyre speciale. Përveç tullumbaceve rozë, ky kënd u plotësua me një shkrim ku me pak fjalë ishte përmbledhur raporti i veçantë nënë e bir që Çiljeta dhe Fernando kanë. “Puthja e tij e parë. Dashuria e tij e parë. Mikja e tij e parë”, shkruhej në anglisht në këndin e preferuar të fotove.

Një përrallë e bërë realitet!