Një 'bridal shower' që e keni ëndrruar gjithmonë
Bridal shower-i apo ndryshe festa e beqarisë, është një festë që mbledh nusen e ardhshme me mikeshat e saj për të festuar lënien pas të beqarisë dhe fillimin e një periudhe të re. Një festë, ku nusja dhe mikeshat e saj mund të festojnë, të ngrenë dolli dhe të shijojnë momentet e fundit të të qenit 'single'. Sigurisht që çdo gjë duhet të duket perfekte, pasi një festë shijohet më shumë kur ambienti duket bukur dhe fotot e shkrepura nga ajo ditë do të jenë materializimi më i mirë i kujtimeve të veçanta!
Përrallor dhe i mbushur me kujtime ishte edhe ky bridal shower i realizuar nga Class Events, nën kujdesin e veçantë të arkitekteve të talentuara dhe plot fantazi të Class Team. Një ambient i shndërruar totalisht për të përmbushur kërkesat dhe dëshirat e nuses.
Festa u organizua në një vend të hapur dhe të rrethuar nga gjelbërimi. U krijua një ambient country me detaje rustike, siç ishin karriget e drurit, sotopjatat prej kashte dhe dritat që shërbenin si i vetmi tavan për të gjithë ambientin ku organizohej festa. Lulet e zgjedhura posaçërisht për t`u përshtatur me stilin, dukeshin si të sapo këputura nga kopshti dhe të vendosura në mënyrë natyrale mbi tavolinë, në disa vazo qelqi të kristalta.
Mbi pjata u vendosën nga dy biskota XO dhe nga një trëndafil. Ngjyrat që mbizotëronin ishin ngjyrat e pastelit që ndërthureshin me gjelbërimin që dominonte ambientin. Në një bar druri u servirën pije të ndryshme për të ftuarat, si sfond bari kishte një rrjetë të bardhë me një kompozim me lule, ndërsa anash një karrige madhështore kashte.
Një element shumë i veçantë i këtij bridal shower-i ishte open-air cinema. Një kinema gjigante e krijuar posaçërisht për ambientin e jashtëm ku u organizua festa. Jastëqe dhe mbulesa të bardha u shtruan në bar që të ftuarat të mund të rehatoheshin teksa shikonin filmin në kinemanë speciale.
Nuk është ky bridal shower-i që keni ëndërruar gjithmonë?