Një dasmë si e Afronës & Bleros, detajet nga dekori elegant
Mbrëmjen e 21 shtatorit, miq, kolegë e familjarë të çiftit Afrona Dika & Blero Muharremi janë mbledhur në Shëngjin për të qenë dëshmitarë të kurorëzimit të një dashurie disavjeçare. Një dasmë buzë detit e kuruar në çdo detaj nga Class Events, ishte ëndrra e bërë realitet e Afronës. Ajo ishte princesha e ditës më të bukur të jetës së saj.
Celebrimi ishte konceptuar të realizohej gjatë perëndimit të diellit, në një altar të bardhë me panoramën më të bukur – detin. Të pranishëm në këtë moment kaq të rëndësishëm ishin familjarët dhe njerëzit më të afërt të çiftit. Emocionet e Afronës dukeshin qartë teksa i ati e shoqëronte drejt Bleros, i cili e priste në altar për të lidhur bashkë jetën.
Afrona dëshironte që në dekorin e dasmës të mbizotëronte ngjyra e bardhë. Po ashtu, një tjetër preferencë e Afronës ishte që të kishte detin si dëshmitarin kryesor të martesës së saj, prandaj tenda u ndërtua shumë pranë detit. Bardhësia dukej se përshtatej aq mirë me të gjithë ambientin që u shndërrua në një parajsë në bregdet. Lulet ishin gjithashtu të bardha. Kishte pafund kompozime gjigante gypsophila-sh të kombinuara me orkide. Tenda ishte transparente e mbushur me drita që të jepnin përshtypjen e një qielli plot me yje. Fishekzjarret që dilnin nga tenda e bënin atë të dukej edhe më magjike dhe ia shtonin atmosferën festës.
Çdo element i dekorit u përshtat për të përmbushur të gjitha kërkesat e nuses, e cila dëshironte që çdo gjë të ishte perfekte. Dhe ashtu ndodhi, Class arriti të reazlionte një tjetër ëndërr duke bërë edhe një çift tjetër të lumtur.